Njihen dy letra që Át Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Mussolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë Urdhri Françeskan, dhe as Provinca e Fishtës. Dhe të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province.
Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsiston në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri etj.
Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, me datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni, i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë.
Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.