"Një aksion për zhdukjen e çdo gjurme të gegnishtes",- kështu e quan Arshi Pipa ndërmarrjen e vitit 1972 përmes Kongresit të Drejtshkrimit në emër të shqipes së njësuar letrare. Dhe sipas tij rrënjët e këtij dënimi dhe dhunimi të gjuhës ishin shumë më të hershme, që me vendosjen e diktaturës në Shqipëri, ku u ndaluan rreptësisht autorë si Fishta, Camaj, Harapi,etj. Pipa shkruan se “Stalinizmi e konsideronte katolicizmin gegë, si kryearmikun e vet. E kjo ishte një nga arsyet pse Fishta ndalohej, sepse ai ishte përfaqësuesi kryesor i katolicizmit". Duke marrë parasysh se kryevepra e Fishtës, "Lahuta Malcís", është katërcipërisht anti-sllave, do të ishte një problem për E. Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij jugosllav, Miladin Popoviç e Dushan Mugosha në kuadrin shqiptar, meqë Poeti Kombëtar evokonte një frymë anti-sllave, dhe vitet e fundit të jetës së tij, edhe anti-komuniste. Kultura perëndimore, pas së cilës ìu qaste Shkodra në atë kohë, përbënte një problem për regjimin që rrënjtë i kishte nga lindja, dhe kjo dritare për nga perëndimi,- përfshi këtu një numër të madh njerëzish që edukoheshin në perëndim, që u persekutuan dhe vizituan burgjet e egra të diktaturës,- duhej mbyllur[13]. Ai u refuzua, jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij Titistët, janë të krahasueshme – duke lënë mënjanë poezinë – me karikaturat e Fishtës për Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te Lahuta e Malcís), por edhe për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk, pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e "Posta e Shqypnís", nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë). Po të jetonte edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e stalinizmit shqiptar, me siguri do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhtar i kombit (vëllai i tij françeskan Vinçens Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar, e më vonë Arqipeshkëv i Durrësit, vdiq në burg). Arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohet fishtofobia e partisë, është se ai ishte gegë i Shqipërisë së Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh.
Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe i mbajtur më 1972, duke vendosur një hegjemoni gati totale të dialektit toskë,- një bazë gati lokaliste, duke marrë parasysh prejardhjen e klikës politike të asokohe. Kjo gjuhë e re standarte siç thekson Pipa, e alienizoj popullin nga gegnishtja që shkruhej nga qarqet letrare me qendër Shkodrën, do me thënë në largimin e dialektit gegë nga syri i lexuesit. Kjo mangësi, përveçse çoj në dobësimin e standardit, zhduku nga vitrinat e librave shqip për më se gjysëm shekulli veprat e Fishtës, po ashtu si të Dom Shantojës, Át Kurtit e shumë të tjerë.
Histeria komuniste me valë lindore karshi kulturës perëndimore me qendër françeskanët e Shkodrës zhvarrosi eshtrat e tij. Më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit. Mendohet se urdhrin për hedhjen e eshtrave të Fishtës në lumë e ka dhënë kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe kryetari i Frontit Demokratik të Shkodrës. Eshtrat mblidhen në një thes çimentoje dhe qëndrojnë për tri ditë në një nga zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit. Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin në Shkodër. At Zef Pllumi, në kujtimet tij thotë se nuk është i sigurt se eshtrat e Fishtës janë hedhur në lumë, por i kanë thënë dëshmitarë okularë se eshtrat janë hipur në një karro për t'u transportuar. Një tjetër klerik, Konrrad Gjolaj, në kujtimet e tij thotë se, "me "revolucionin kulturor" edhe eshtrat e Tij u tretën buzë Drinazës, në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtrat e vëllezërve të tjerë t'asaj Kishe". Sipas letrës së Fritz Radovanit, janë në varrezat e Rrmajit, pas tri ditësh eshtrat e Fishtës janë marrë nga ish-drejtori i ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema Punëtori (ish-Kisha e Fretenve), Shyqyri Rrjolli, dhe i ka varrosur së bashku me rojën e varrezave, Gjon Gjergjin, në varrezat e Rëmajës në Shkodër. Kjo çvarrosje dhe "zhdukje" e eshtrave të tij shënjoj simbolikën e territ që pàu kolosi i letrave shqipe që do "bânte Shqypninë për inat t'shqyptarvet" për gjithë ato vjet.