Porsi kanga e zogut t'veres,
Qi vallzon n'blerim të Prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjit e drandofillit:
Porsi vala e bregut t'detit,
Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtû â gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â, ambël fiala e sajë,
Porsi gjumi m'nji kerthí,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pa mashtrí;
Edhè ndihet tu kumbue,
Porsi fleta e Kerubimit,
Ka'i bjen qiellvet tue fluturue
N't'zjartat valle t'ameshimit.
Prá, mallkue njaj bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë të Perendís,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s'i a lên ai fmís;
Edhè atij i u thaftë, po, goja,
Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;
Qi n'gjuhë t'huej, kúr s'âsht nevoja,
Flet e t'veten lên mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat t'ona
Shì prej djepit na kanë thânun,
Se âsht nji Zot, qi do t'a dona:
Njatë, qi jetën na ka dhânun;
Edhè shqyp na thanë se Zoti
Per Shqyptarë Shqypnín e fali,
se sá t'enden stina e moti,
Do t'a gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vetë, po pik' mâ para,
N'agim t'jetës kúr kemi shkue
Tue ndjekë flutra neper ara,
Shqyp mâ s'pari kemi kndue:
Kemi kndue, po armët besnike,
Qi flakue kanë n'dorë t'Shqyptarvet,
Kah kanë dekë per besë jetike,
Kah kanë dekë kta per dhé t'Parvet.
Në këtë gjuhë edhè njaj Leka,
Qi 'i rruzllim mbretnín s'i a xûni,
Qi kah bijte ai, shkelte deka.
Shekllit mbarë ligjë t'randë i vûni;
Në këtë gjuhë edhè Kastriota
U pat folë njatyne ushtrive,
Qi sa t'ndrisë e diellit rrota,
Kanë me kênë ndera e trimnive.
Prá, Shqyptarë, çdo fés qi t'jini,
Gegë e Toskë, malcí e qyteta,
Gjuhen t'uej kurr mos t'a lini,
Mos t'a lini sá t'jetë jeta,
Por per tê gjithmonë punoni;
Pse, sa t'mbani gjuhen t'uej,
Fisi i juej, vendi e zakoni
Kanë me u mbajtë larg kambet s'huej.
Nper gjuhë shqype bota mbarë
Ka me u njohtë se ç'fis ju kini,
Ka me u njohtë jú per Shqyptarë:
Trima n'zà sikurse jini.
Prandej, prá, n'e doni fisin,
Mali, bregu edhè Malcija
Prej njaj goje sod t'brohrisin:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnija!